Telefon
+383 45 205 389
E-mail
info@hoxha.com
Orari i punës
E Hënë - E Premte: 08:00 – 16:00
Cakto Termin

Forma të Shoqërive Tregtare / Organizimi i Bizneseve në Kosovë: Udhëzues për Zgjedhjen dhe Regjistrimin

Në Kosovë, ekzistojnë disa forma të ndryshme të shoqërive tregtare dhe bizneseve që individët dhe kompanitë mund të zgjedhin për të strukturuar aktivitetet e tyre ekonomike. Çdo formë ka avantazhet dhe kufizimet e veta, dhe zgjedhja e formës së duhur është vendimtare për suksesin afatgjatë të biznesit tuaj. Në këtë blog, do të shqyrtojmë format kryesore të organizimit të biznesit në Kosovë siq i parasheh Ligji për Shoqëritë Tregtare, përfshirë procesin e regjistrimit dhe detajet e tjera të rëndësishme.

aerial view business data analysis graph scaled
Aerial view of business data analysis graph

1. Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.P.K.)

Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.P.K.) është një nga format më të zakonshme të shoqërive tregtare në Kosovë dhe është e përshtatshme për bizneset e vogla dhe të mesme. Kjo formë ofron mbrojtje ligjore për aksionarët apo ndryshe të njohur si pronarët, pasi përgjegjësia e tyre për obligimet e shoqërisë / biznesin është e kufizuar në shumën e kapitalit të investuar.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni: Për regjistrimin e një Sh.P.K., nevojitet dorëzimi i dokumenteve themeluese, duke përfshirë aktin themelues dhe statutin e shoqërisë.
  • Kapitali Minimal: Nuk kërkohet kapital minimal për themelimin e një Sh.P.K., por është e rëndësishme të përcaktohet shuma e kapitalit fillestar në dokumentet themeluese.
  • Organi Regjistrues: Shoqëritë regjistrohen pranë Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
  • Kohëzgjatja e Procesit: Procesi i regjistrimit zakonisht zgjat rreth 3-7 ditë pune.

2. Shoqëri Aksionare (Sh.A.)

Shoqëria Aksionare (Sh.A.) është e përshtatshme për kompani të mëdha që synojnë të mbledhin kapital përmes shitjes së aksioneve. Kjo formë ofron një nivel të lartë fleksibiliteti në menaxhimin e kapitalit dhe në shpërndarjen e aksioneve ndërmjet aksionarëve.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni: Përveç aktit themelues dhe statutit, shoqëritë aksionare duhet të dorëzojnë një listë të aksionarëve dhe bordit drejtues.
  • Kapitali Minimal: Kapitali minimal për themelimin e një Sh.A. është 10,000 euro. Ky kapital duhet të jetë i ndarë në aksione dhe duhet të jetë i paguar para regjistrimit.
  • Regjistrimi Publik: Pas regjistrimit në ARBK, informacioni mbi aksionarët dhe bordi duhet të jetë publikisht i disponueshëm.
  • Rregullimi dhe Mbikëqyrja: Shoqëritë aksionare janë të mbikëqyrura nga rregullatorët financiarë, dhe ato që janë të listuara në bursë duhet të përmbushin kërkesat për raportim publik dhe transparencë.

3. Ortakëria e Përgjithshme

Shoqëria me Ortakëri të përgjithshme Ortakët e Përgjithshëm të Ortakërisë së Përgjithshme janë personat fizik ose juridik dhe/ose Shoqëritë Tregtare të përcaktuara në Marrëveshjen e Ortakërisë së Përgjithshme. Ortakëria e Përgjithshme nuk është person juridik. Pavarësisht nga kjo, ajo mund të lidhë kontratë, të ketë pronë, të ushtrojë padi dhe të jetë e paditur, në emrin e saj.

Ortakët e Përgjithshëm janë individualisht dhe kolektivisht përgjegjës për të gjitha borxhet dhe detyrimet tjera kontraktuese ose ligjore të Ortakërisë së Përgjithshme. Kjo përgjegjësi është e pakufizuar dhe përfshin të gjithë pasurinë dhe asetet e çfarëdo lloji që janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një Ortaku të Përgjithshëm.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni:
    1. formularin e përgatitur nga ARBK për këtë qëllim, duke përfshirë të dhënat vijuese:
      1. emrin e Përfaqësuesit(ve) të Autorizuar të emëruar nga Ortakët e Përgjithshëm sipas nenit 24 të këtij ligji, si dhe nëse është e aplikueshme, emrin dhe adresën e personit kompetent për pranimin e dokumenteve sipas nenit 25 të këtij ligji;
      2. Informata nëse Ortakët e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit e Autorizuar ose Përfaqësuesit me Prokurë janë të autorizuar për të përfaqësuar Ortakërinë e Përgjithshme vetëm apo duhet të veprojnë bashkërisht.
    2. kopjen e dokumentit personal të identifikimit të Përfaqësuesit të Autorizuar; dhe
    3. “Marrëveshjen e Ortakërisë së Përgjithshme” të nënshkruar nga të gjithë Ortakët e Përgjithshëm.
  • Kapitali Minimal: Nuk ka kërkesë për kapital minimal, por është e rëndësishme të përcaktohet kapitali i investuar nga ortakët e përgjithshëm.
  • Detyrimet Tatimore: Shoqëritë e ortakërisë janë të detyruara të regjistrohen për TVSH dhe tatimin në fitim, nëse plotësojnë kushtet e kërkuara ligjore.

4. Ortakëria e Kufizuar

Shoqëria e Ortakërisë së Kufizuar është një formë partneriteti e thjeshtë, e cila përdoret zakonisht për bashkëpunime afatshkurtra ose projekte specifike. Ortakëria e Kufizuar është Shoqëri Tregtare që përbëhet nga:

  • së paku një ortak i përgjithshëm; dhe
  • së paku një ortak i kufizuar

Ortakëria e Kufizuar nuk është person juridik. Pavarësisht nga kjo, ajo mund të lidhë kontratë, të posedojë pronë, të ushtrojë padi dhe të jetë e paditur në emrin e saj.

Ortaku i Përgjithshëm në Ortakërinë e Kufizuar është individualisht dhe kolektivisht përgjegjës me Ortakët tjerë të Përgjithshëm për të siguruar respektimin nga Ortakëria e Kufizuar të të gjitha detyrimeve që burojnë nga ligjet e zbatueshme në Kosovë, duke përfshirë këtë ligj. Ortaku i Kufizuar nuk është përgjegjës për borxhet ose detyrimet e tjera të Ortakërisë së Kufizuar.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni:
    1. formularin e përgatitur nga ARBK
    2. kopjen e dokumentit personal të identifikimit të Përfaqësuesit të Autorizuar
    3. “Marrëveshjen e Ortakërisë së Kufizuar”
  • Kapitali Minimal: Nuk ka kapital minimal për regjistrim, por është e nevojshme që ortaket të bien dakord për ndarjen e fitimeve dhe humbjeve.
  • Përgjegjësia Ligjore: Ortakët mbajnë përgjegjësi të plotë për detyrimet e shoqërisë, duke përfshirë borxhet.

5. Biznes Individual

Biznesi Individual është forma më e thjeshtë e organizimit të biznesit dhe është i përshtatshëm për individët që dëshirojnë të operojnë vetë. Në këtë formë biznesi, pronari është i vetmi që menaxhon aktivitetet dhe mbart të gjitha përgjegjësitë për detyrimet e biznesit me pasurinë e tij personale.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni: Për regjistrimin e një Biznesi Individual, nevojitet dorëzimi i një kërkese për regjistrim në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe dokumenti identifikues i pronarit.
  • Kapitali Minimal: Nuk kërkohet kapital minimal për të regjistruar një biznes individual.
  • Përgjegjësia: Pronari mban përgjegjësi të plotë dhe të pakufizuar për të gjitha borxhet dhe detyrimet e biznesit.
  • Tatimi dhe Detyrimet: Bizneset individuale janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale dhe, nëse plotësojnë kushtet e kërkuara, duhet të regjistrohen për TVSH nëse arrin qarkullimin vjetor të paraparë mbi ligjin për TVSH.

6. Degë dhe Përfaqësi të Shoqërive të Huaja

Kompanitë e huaja që dëshirojnë të operojnë në Kosovë mund të regjistrojnë një degë ose përfaqësi. Këto njësi nuk kanë personalitet juridik të pavarur dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me kompaninë mëmë.

Procesi i Regjistrimit:

  • Dokumentacioni: Kompanitë e huaja duhet të dorëzojnë dokumente që vërtetojnë ekzistencën e tyre ligjore në vendin amë, si dhe një autorizim për përfaqësuesin e degës në Kosovë.
  • Kapitali: Nuk kërkohet kapital minimal, por degët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet fiskale dhe ligjore në Kosovë.
  • Raportimi: Degët janë të detyruara të paraqesin raporte financiare dhe të përmbushin detyrimet tatimore njësoj si kompanitë vendase.

Përfitimet dhe Kufizimet e Formave të Shoqërive dhe Bizneseve

Secila formë e organizimit të biznesit ofron përfitime të ndryshme, si mbrojtja ligjore, fleksibiliteti në menaxhim dhe mundësia për mbledhje kapitali. Megjithatë, ato gjithashtu vijnë me kufizime që duhet të merren parasysh para themelimit të biznesit. Zgjedhja e formës së duhur duhet të bazohet në nevojat specifike të biznesit, strukturën e kapitalit dhe qëllimet afatgjata.

corporate business handshake business partners scaled

Përfundim

Regjistrimi i biznesit tuaj në formën e duhur është një hap vendimtar për suksesin e tij në Kosovë. Ne në Hoxha & Associates jemi të përkushtuar të ofrojmë mbështetje të plotë ligjore dhe këshillime të personalizuara për të siguruar që çdo aspekt i regjistrimit dhe funksionimit të biznesit suaj të jetë në përputhje me ligjin dhe interesat tuaja.

Për çdo pyetje apo ndihmë shtesë, mos hezitoni të na kontaktoniinfo@hoxha.law ose të na telefononi në +383 (0) 45 205 389 apo të na vizitoni në zyret tona në Prizren Rr. De Rada pnr.

A keni nevojë për Avokat?

Në Hoxha & Associates, ne jemi këtu për t’ju ndihmuar me nevojat tuaja ligjore,
pavarësisht nëse është ligji i biznesit, ligji familjar, ligji i kontratave ose më shumë.
Na kontaktoni për të caktuar një konsultë me Avokatin.

info@hoxha.law
·    +383 45 205 389  ·   E Hënë – E Premte: 08:00 – 16:00

Related Posts